Apple paralajmëron rritje çmimesh për produktet e saj

Kompania Apple planifikon të rrisë çmimet e disa produkteve të saj, pasi kostoja e çipave të memories që përdoren në pajisjet elektronike është rritur ndjeshëm.

Drejtori ekzekutiv në largim i kompanisë, Tim Cook, deklaroi për Wall Street Journal se rritja e çmimeve është bërë “e pashmangshme”, pasi situata me furnizimin dhe kostot e çipave të memories është bërë e paqëndrueshme.

Ai nuk specifikoi se kur do të hyjnë në fuqi çmimet e reja dhe as cilat produkte do të preken. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse rritja e çmimeve do të ndikojë te iPhone 18, i cili pritet të prezantohet në shtator, transmeton Klankosova.tv.

Çipat e memories janë komponentë thelbësorë në pajisje si telefonat inteligjentë dhe kompjuterët. Sipas Cook, kërkesa e lartë e shkaktuar nga zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të tyre.

“Po bëjmë çmos për të zbutur rritjet e mëdha të kostove që po na transferohen, por situata është bërë e paqëndrueshme. Ka më pak furnizim në një kohë kur kërkesa e konsumatorëve mbetet e lartë”, tha ai.

Cook, i cili do të zëvendësohet në shtator nga John Ternus pas 15 vitesh në krye të kompanisë, theksoi se industria ka nevojë që çmimet dhe furnizimi me memorie të rikthehen në nivele më të arsyeshme.

Sipas raportit, çmimi i memories RAM, një prej komponentëve më të zakonshëm në pajisjet kompjuterike, është më shumë se dyfishuar që nga tetori i vitit 2025.

Latest news
Related news