Arabia Saudite e Katari investojnë në Liban pas çarmatosjes së Hezbollahut

Arabia Saudite dhe Katari janë gati të investojnë në një zonë ekonomike në jug të Libanit, pranë kufirit me Izraelin, që do të krijonte vende pune për anëtarët e grupit militant Hezbollah dhe mbështetësit e tij, sapo ata të lënë armët, tha të martën i dërguari i presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme.

Tom Barrack i bëri këto komente në Bejrut pas vizitave në Izrael dhe Siri, ku diskutoi me zyrtarë për situatën e vazhdueshme në Liban, pas vendimit të këtij muaji të qeverisë libaneze për të çarmatosur Hezbollahun deri në fund të vitit. Udhëheqësi i Hezbollahut e refuzoi planin e qeverisë, duke u zotuar se do t’i mbajë armët, raporton AP.

Të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite mund të fillojnë të tërhiqen nga territoret që mbajnë në jug të Libanit pas “vendimit historik” të qeverisë libaneze për të çarmatosur Hezbollahun.

Ushtria libaneze, e mbështetur nga SHBA, po përgatit një plan për çarmatosjen e Hezbollahut, i cili pritet të jetë gati deri në fund të gushtit. Qeveria pritet ta shqyrtojë dhe ta miratojë planin e ushtrisë gjatë një mbledhjeje të planifikuar për 2 shtator.

“Duhet të fusim para në sistem. Paratë do të vijnë nga Gjiri,” u tha Barrack gazetarëve pas takimit me presidentin libanez, Joseph Aoun.

Latest news
Related news