Sekuestrohen 656 cigare elektronike, u futën kundërligjshëm nga Serbia

Të premten në Novosellë të Kamenicës, Policia e Kosovës ka parandaluar një rast kontrabande mallrash.

Në automjetin me targa serbe janë zbuluar 656 cigare elektronike që dyshohet të jenë futur nga territori i Serbisë në mënyrë të kundërligjshme.

“Gjatë një operacioni të zhvilluar dje më 26.06.2026, në fshatin Novosellë të Kamenicës, zyrtarët policorë nga Stacioni i Policisë Kufitare Muqivercë në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Stacionin Policor Kamenicë, kanë parandaluar një rast ‘kontrabanda me mallra’”, thuhet në postimin e Policisë së Kosovës.

“Gjatë kontrollit të një automjeti të me targa serbe, policia ka zbuluar të fshehura në valixhe 656 cigare elektronike (Vape), për të cilat dyshohet se ishin futur nga territori i Serbisë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe futjen e tyre në tregun e Republikës së Kosovës”.

Policia ka njoftuar se automjeti drejtohej nga një shtetas i Serbisë, teksa cigaret elektronike janë sekuestruar.

“Automjeti drejtohej nga një shtetas i Serbisë, ndaj të cilit janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”.

“Në koordinim me prokurorinë kompetente janë zhvilluar të gjitha procedurat hetimore, ndërsa automjeti dhe 656 cigaret elektronike janë sekuestruar si prova materiale”.

Latest news
Related news