Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës, sonte nga ora 20:00, sopranoja Arta Jashari do të mbajë koncertin e saj solistik “Arie di Libertà” – “Arie të Lirisë”.
Koncerti do të realizohet nën përcjelljen e maestros, pianistit dhe dirigjentit të njohur italian Mirco Roverelli, artist i lidhur me Accademia Nazionale di Santa Cecilia në Romë.
Maestro Roverelli është artist i shquar italian, i cili ka bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj botërorë të muzikës operistike, si José Carreras dhe Anna Netrebko.
Ky bashkëpunim është mundësuar me mbështetjen dhe nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe Universitetin e Prishtinës.
Koncerti përmban program me vepra premierë dhe vjen në kuadër të aktiviteteve që ndërlidhen me shënimin e “Festa della Repubblica Italiana” dhe të Çlirimit të Prishtinës, si një urë lidhëse mes dy vendeve në këtë bashkëpunim të veçantë kulturor.
Në këtë mbrëmje artistike, krahas sopranos Arta Jashari dhe maestros Mirco Roverelli, pjesë e programit do të jenë edhe artistë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, përfshirë Avni Krasniqi, Elikona Hysaj Shala, Kori i Fëmijëve “Okarina”, Elona Sadiku, Urta Haziraj dhe Andra Rexhepi./Klankosova.tv




