Nga 31 euro në mijëra – saga e borxheve të vjetra të rrymës (VIDEO)

Borxhet e vjetra të KEK-ut vazhdojnë të jenë burim kontestesh për qytetarët, edhe më shumë se një dekadë pas privatizimit të sektorit të energjisë.

Fidaim Canolli nga Prishtina pretendon se është shkyçur nga rrjeti elektrik për shkak të një borxhi prej 3,500 eurosh që daton nga viti 2014. Sipas tij, gjithçka nisi pasi iu vendos njehsori i ri dhe mori një faturë prej mbi 5 mijë eurosh, për të cilën vazhdon të kërkojë sqarime.

Ndërkohë, një konsumator tjetër thotë se prej më shumë se 10 vitesh i figuron në faturë një borxh prej 31 eurosh ndaj KEK-ut, por pretendon se nuk po arrin ta paguajë, pasi pagesa nuk po realizohet në sistem.

Avokati Florim Shefqeti, që përfaqëson familjen Canolli, pretendon se përdorimi i borxheve të vjetra si bazë për shkyçje është i kundërligjshëm dhe ka paralajmëruar veprime ligjore.

Nga ana tjetër, KEDS ka deklaruar se Canolli nuk është shkyçur për borxh ndaj KEK-ut, por për një obligim prej 3,587 eurosh të krijuar pas privatizimit. Kompania thekson se nuk realizon shkyçje për borxhet e vjetra të KEK-ut, të cilat sipas saj janë trajtuar përmes procedurave përmbarimore.

Edhe ZRRE ka sqaruar se, sipas rregulloreve në fuqi, shkyçja për mos-pagesë mund të bëhet vetëm për detyrimet aktuale që rrjedhin nga kontrata e furnizimit me energji elektrike, ndërsa borxhet e vjetra trajtohen sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova:

Latest news
Related news