Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka ngritur kritika të forta ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave, duke thënë se mënyra e funksionimit të këtij institucioni po krijon përshtypjen e njëanshmërisë në trajtimin e ankesave.
Sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Kusari tha se analizat që po kryhen mbi vendimet e KPM-së tregojnë një model të përsëritur, ku sipas saj, rezultatet varen nga kush paraqet ankesën.
“Do të doja të diskutojë standardet që KPM-ja i përdor kur përdoret gjuhë e tillë nëpër studio. Dhe përgjigja prej një analize të cilën po e bëjmë dhe që shpresojmë ta përfundojmë së shpejti, e që ka të bëjë me aspektin meritor të vendimeve të KPM-së, është që varet kush ankohet. Deri tani shumicën e vendimeve që kemi i analizuar, sa herë që Vetëvendosja është ankuar, KPM-ja e ka aprovuar atë ankesë dhe i ka gjobitur ose i saknsionuar me të holla mediat, ose me vërejtje”, tha ajo.
Sipas Kusarit, ka edhe raste kur mediat janë proceduar nga KPM-ja edhe pa ankesë zyrtare nga Vetëvendosja, kur në studio televizive është kritikuar kjo parti politike.
“Po ashtu, pjesë tjetër e analizës është që në disa raste kur në studio televizive është kritikuar Lëvizja Vetëvendosje, por Vetëvendosja nuk ka bërë ankesë, KPM-ja është siguruar që ex officio, sipas detyrës zyrtare, të fillojë rast ndaj atyre mediave”, deklaroi juristja në Klan Kosova.
Kusari tutje u shpreh se ndonjëherë ka përshtypjen që KPM-ja po vepron si zyrë ligjore ose edhe gjykatë për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë nuk jam e sigurt, KMP-ja a është aty për ta ruajtur pluralizmin e mediave, të sigurohemi që ne kemi mjaftueshëm media, ose mediat që i kemi tani me pikëpamje të ndryshme, apo është një zyrë ligjore e cila monitoron në emër të Vetëvendosjes dhe shqipton sanksione në emër të Vetëvendosjes. Nganjëherë përshtypjen e kam që KPM-ja është duke vepruar si një zyrë ligjore për Lëvizjen Vetëvendosje, ose çka është edhe më keq, si një lloj gjykate”, tha ajo./Klankosova.tv



