Aventura e re e Lewandowskit, Chicago Fire zyrtarizon polakun

Një kapitull i ri nis për Robert Lewandowskin.

Sulmuesi legjendar polak ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij në futbollin evropian, duke nisur një sfidë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Chicago Fire ka zyrtarizuar transferimin e ish-sulmuesit të Barcelonës, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin e Major League Soccer. Marrëveshja konfirmon raportimet e ditës së kaluar dhe sjell në MLS një nga golashënuesit më të mëdhenj të futbollit modern.

Pas një karriere të jashtëzakonshme në Evropë, ku veshi fanellat e Borussia Dortmund, Bayern Munich dhe Barcelona, Lewandowski vendos të vazhdojë karrierën në kampionatin amerikan. Në moshën 37-vjeçare, ai pritet të jetë lideri i projektit ambicioz të Chicago Fire, transmeton Klankosova.tv.

Klubi amerikan e konsideron afrimin e Lewandowskit si një transferim historik, duke besuar se përvoja, cilësia dhe mentaliteti fitues i sulmuesit polak do ta ndihmojnë skuadrën të luftojë për trofe dhe të rrisë nivelin e konkurrueshmërisë gjatë dy sezoneve të ardhshme.

Latest news
Related news