Mjekja Jehona Krasniqi-Zhuti ka bërë thirrje për masa urgjente për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë Kosovën, duke paralajmëruar se nëse institucionet nuk reagojnë me kohë, pasojat mund të jenë fatale për grupet më të rrezikuara.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ajo tha se përveç këshillave për qytetarët, është e domosdoshme që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e shëndetit publik.
Duhet të rivlerësohet situata dhe të mos shkojmë vetëm me edukim të popullatës. Këshillat janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë. Duhet të merren masa praktike para se të bëhet vonë, sepse pasojat mund të jenë fatale”, u shpreh Krasniqi-Zhuti.
Ajo theksoi se më të rrezikuarit nga temperaturat ekstreme janë fëmijët, të moshuarit mbi 60-65 vjeç, personat me sëmundje kardiovaskulare, respiratore dhe të veshkave, si dhe gratë shtatzëna, të cilëve dehidrimi mund t’ua përkeqësojë gjendjen shëndetësore.
Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet edhe punëtorëve që punojnë në ambiente të hapura, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Duhet të shkurtohet orari i punës ose të organizohet puna në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje. Këto janë vendime praktike që do ta mbronin shëndetin e qytetarëve”, tha ajo.
Krasniqi-Zhuti shtoi se temperaturat e larta dhe luhatjet e mëdha klimatike janë të rrezikshme edhe për personat plotësisht të shëndetshëm, ndërsa theksoi se jo të gjitha institucionet në Kosovë kanë kushte të përshtatshme për t’i përballuar këto temperatura.
Në fund, ajo apeloi që autoritetet të bëjnë një rivlerësim të situatës dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve gjatë valës së të nxehtit.



