Carrick nuk heq dorë – në lojë transferimi rekord për një italian!

E ardhmja e Sandro Tonali te Newcastle United po bëhet gjithnjë e më e paqartë, pasi gazetari i njohur Gianluca Di Marzio ka zbuluar ekzistencën e një “marrëveshje gjentëllmenësh” mes lojtarit italian dhe ‘Laraskave’.

Sipas marrëveshjes, nëse Newcastle nuk siguronte kualifikimin në UEFA Champions League, Tonali mund të largohej drejt një klubi të madh europian, me një vlerë fillestare rreth 100 milionë euro. Duke qenë se Newcastle e mbylli sezonin vetëm në vendin e 12-të, kjo derë tashmë është hapur plotësisht.

Raportimet tregojnë se Manchester United po shtyn fort për transferimin e italianit dhe trajneri i ri Michael Carrick e konsideron Tonalin si objektivin kryesor të merkatos. Madje, sipas Di Marzios, United do ta ndjekë këtë transferim pavarësisht nëse realizohet apo jo marrëveshja me Atalantan për Ederson, një sinjal i qartë se Tonali nuk shihet si “plani B”, por si prioritet absolut.

Newcastle aktualisht kërkon rreth 86 milionë funte për mesfushorin, ndërsa ‘Djajtë e Kuq’ janë të gatshëm të ofrojnë afërsisht 70 milionë. Diferenca mbetet e konsiderueshme, por besohet se negociatat mund të çojnë drejt kompromisit.

Nëse marrëveshja finalizohet, atëherë mund të thyhet sërish rekordi për transferimin më të shtrenjtë të një futbollisti italian, rekord që ironikisht mbahet pikërisht nga vetë Tonali, pas kalimit të tij nga Milani te Newcastle në vitin 2023 për rreth 70 milionë euro, duke e kaluar transferimin e Jorginhos më 2018 nga Napoli te Chelsea.

Latest news
Related news