çfarë kërkon të arrijë Donald Trump? A po i jep fund Trump rendit botëror perëndimor?

Nën Trump, marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën po rigjallërohen në dëm të Ukrainës, e cila u sulmua dhe pjesërisht u pushtua nga Rusia. Në vend që të përfshijë aleatët evropianë në këtë kthesë, administrata amerikane tani po thekson dallimet në vlerat e dikurshme të përbashkëta.

Historiani Norbert Frey, i cili drejton Qendrën për Historinë e Shekullit të 20-të në Universitetin e Jenës, sheh në të gjitha këto zhvillime fundin e rendit botëror që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Bashkimit Sovjetik.

“Qëllimi është i qartë: Një triumvirat global (aleancë treshe, shën.red.) me Donald Trump, Xi Jinping dhe Putin”, tha Frei për Deutschlandfunk.

“Ajo që Trumpi nuk dëshiron të shohë është se SHBA-ja po lufton si një fuqi botërore në rënie. Dhe pikërisht tani ata po refuzojnë aleatët e tyre të vetëm të mbetur -Evropën. Ndërsa Evropa tani është lënë plotësisht në duart e veta”.

Dhe kjo është arsyeja pse bisedimet diplomatike janë duke u zhvilluar në Evropë për të gjetur një përgjigje të përbashkët – fillimisht në një samit në Londër e më pas edhe në një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel.

“Shpresoj që ata të kuptojnë se ky është një ndryshim i qartë i drejtimit në politikën botërore,” tha Mikhail Alexeyev, një shkencëtar politik në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.

“Diskutimi në Zyrën Ovale nuk ishte vetëm një përleshje mes dy liderëve. Ai fsheh një sinjal të distancimit më të madh të SHBA-së nga Evropa. Ne nuk mund të marrim më garanci amerikane të sigurisë, jo vetëm për Ukrainën, por ndoshta as për NATO-n si të sigurt.”

Të mërkurën (26 shkurt), Trump deklaroi: “BE u krijua për të mashtruar SHBA-në, ndërsa të premten (28 shkurt) presidenti amerikan, së bashku me zëvendëspresidentin e tij J.D. Vance, filluan një grindje me Volodymyr Zelensky para publikut botëror.

A do të ketë shkëputje të plotë me Evropën?

Laura von Daniels, e cila drejton grupin e punës të Amerikës në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP) me qendër në Berlin, thotë se ka pasur një ankth të madh, por se një prishje e plotë në marrëdhëniet transatlantike nuk mund të dallohet aktualisht.

“Unë besoj se situata do të jetë e vështirë dhe se ai është i gatshëm të dëmtojë interesat e Bashkimit Evropian. Si në politikën e sigurisë ashtu edhe në atë ekonomike, siç janë tarifat ndëshkuese. Kjo është e gjitha e vërtetë. Por nuk është në interesin e tij të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Evropën brenda natës”, mendon ajo.

Von Daniels tregon planet ekonomike të Trumpit, si trajtimi i Evropës si një treg i madh për gazin natyror të lëngshëm amerikan. Pra, presioni ekonomik do të jetë në rritje.

“Në mars do të vijnë tarifat për çelikun dhe aluminin”, thotë Von Daniels dhe shton se në pranverë dhe verë, Evropa duhet të llogarisë në vendosjen e tarifave të reja, për shembull për makinat. /DW/

Latest news
Related news