​Dhjeta të plagosur nga shpërthimi në pikën e karburantit në Romë

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në një pikë karburanti në lagjen lindore Prenestino të Romës, të premten në mëngjes, duke shkaktuar një zhurmë të madhe që u dëgjua në shumë zona të kryeqytetit.

Sipas Wanted in Rome, të paktën 40 persona u plagosën nga shpërthimi në Via dei Gordiani, përfshirë një zjarrfikës, nëntë oficerë policie dhe kalimtarë, ndërsa ndërtesat përreth u dëmtuan gjithashtu.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se po e ndjek nga afër situatën dhe ka folur me kryetarin e bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri.

“Shpreh solidaritetin tim me të gjithë të plagosurit – përfshirë forcat e rendit, zjarrfikësit dhe punonjësit shëndetësorë – dhe falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që janë angazhuar në operacionet e shpëtimit dhe sigurisë”, shkroi Meloni në një postim në X.

Shpërthimi ndodhi pak pas orës 08:00 dhe, sipas raportimeve, u shkaktua kur një pompë u shkëput nga depozita e karburantit gjatë procesit të furnizimit. Një shtyllë e dendur tymi ishte e dukshme nga pjesë të shumta të qytetit, dhe stacioni i metrosë “Teano” i linjës C u mbyll përkohësisht për arsye sigurie, ndërkohë që pati bllokime trafiku dhe devijime të autobusëve në atë zonë.

Papa Leo XIV, ipeshkvi i Romës, tha se po lutet për personat e përfshirë në shpërthim dhe shtoi se po i ndjek me shqetësim “zhvillimet e këtij aksidenti tragjik”.

Qendra sportive “Villa De Sanctis” aty pranë, që funksionon si kamp veror për fëmijë, u evakuua para shpërthimit, sapo u pa tymi i parë, tha për gazetën La Stampa drejtori i kompleksit, Fabio Balzani.

“Ishin tetë fëmijë. Prindërit erdhën, fëmijët janë të gjithë mirë. Po të kishte ndodhur një orë më vonë, do të ishte një masakër: do të kishte 60 fëmijë nga kampi veror, ne stafin dhe 120 persona të tjerë të rezervuar për në pishinë”, tha Balzani, duke shtuar se qendra sportive “tani duket si një fushëbetejë”.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos afrohen nga kurioziteti në vendin e ngjarjes dhe banorëve të zonës apo atyre që kalojnë me vetura aty pranë t’i mbajnë dritaret të mbyllura.

Latest news
Related news