Qendra e koordinimit për Gazën drejt një riorganizimi të madh

Qendra e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC) në Kiryat Gat pritet t’i nënshtrohet një riorganizimi të madh, me synimin për ta bërë atë më operative dhe për të forcuar koordinimin me Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump.

CMCC u themelua në jug të Izraelit në tetor të vitit të kaluar, në kuadër të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ajo kishte për detyrë monitorimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, lehtësimin e hyrjes së ndihmave humanitare dhe hartimin e politikave për Gazën pas luftës, raportoi Channel 12.

Sipas tre diplomatëve të njohur me planet, qendra do të riemërtohet në Qendrën Ndërkombëtare të Ndihmës për Gazën (International Gaza Aid Center), ndërsa Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF), e propozuar për të garantuar sigurinë në Rripin e Gazës gjatë periudhës kalimtare pas luftës, pas tërheqjes së Izraelit dhe çarmatimit të Hamasit, pritet të marrë një rol shumë më të madh në punën e saj, percjell Times of Israel.

Raporti thotë se numri i vendeve dhe përfaqësuesve të përfshirë në diskutimet e nivelit të lartë për të ardhmen e Gazës do të reduktohet, me qëllim përshpejtimin e procesit të vendimmarrjes. Ndryshimet, të cilat u avancuan gjatë një takimi të mbajtur këtë javë pas më shumë se dy muajsh planifikimi, pritet të zbatohen në të ardhmen e afërt.

Channel 12 raportoi gjithashtu se po zhvillohen bisedime të avancuara me Gjeorgjinë dhe Vietnamin për kontribut me trupa në ISF. Nëse finalizohen, ato do t’i bashkohen Greqisë, Marokut, Indonezisë, Kosovës, Kazakistanit dhe Shqipërisë, të cilat tashmë kanë pranuar të dërgojnë forca.

Sipas Channel 12, Bordi i Paqes nuk e mohoi raportin, duke deklaruar se po vazhdon avancimin e planeve për qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës, “për të thjeshtuar përpjekjet dhe për të rritur transparencën”.

Po ashtu, bëhet e ditur se ISF-ja dhe Qendra e Koordinimit Civil-Ushtarak po përgatisin “modele të ndryshme për koordinim dhe integrim më të ngushtë”, ndërsa misioni zgjerohet. Bordi shtoi se aktualisht nuk është planifikuar reduktim i personelit dhe se bisedimet me vende të tjera për kontribut me trupa janë ende në vazhdim.

Gjeorgjia dhe Vietnami nuk kanë komentuar mbi raportin, shton Channel 12.

Latest news
Related news