Drenas: Policia dhe Prokuroria Speciale kërkojnë zbardhjen e krimeve të luftës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me përfaqësues të Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të tjera të sigurisë, kanë vizituar fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër në komunën e Drenasit, vende ku gjatë luftës në Kosovë u kryen disa nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, vizita është realizuar më 16 korrik 2026, ku në këto lokalitete u përkujtuan viktimat e krimeve të kryera ndaj civilëve të pafajshëm.

“Gjatë luftës, në këto dy lokalitete, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan mizorisht 82 civilë të pambrojtur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga këto viktima, 23 u vranë në Abri të Epërme, ndërsa 59 në Poklekun e Vjetër.

Delegacioni institucional, ku përveç drejtorit Hoxha morën pjesë edhe prokurori i Prokurorisë Speciale Ilir Morina, drejtori i Departamentit të Hetimeve Agron Nezaj dhe drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës Bashkim Spahiu, u takua me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli.

Gjatë takimit, familjarët ndanë dëshmitë dhe rrëfimet e tyre për ngjarjet tragjike, ndërsa përfaqësuesit institucionalë shprehën solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për familjet e të vrarëve.

“Ritheksuan angazhimin e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtyre krimeve makabre dhe vënien e autorëve para drejtësisë”, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Policia theksoi se mbetet e përkushtuar që, në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet tjera kompetente, të vazhdojë hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

“Pavarësisht kohës së kaluar, çdo dëshmi dhe çdo informacion trajtohet me seriozitet të lartë, me synimin që përgjegjësit e këtyre krimeve të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftim.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja e familjeve të tyre dhe angazhimi për drejtësi mbeten obligim institucional dhe moral.

Latest news
Related news