Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ka deklaruar se ekziston një “marrëveshje në tryezë” për pengjet e mbetura në Gaza, raportojnë mediat izraelite.
Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir raportohet të ketë thënë se ushtria izraelite ka krijuar kushtet për një marrëveshje dhe se tani vendimi është në duart e kryeministrit Benjamin Netanyahu, raporton Channel 13 News, sipas BBC.
Të martën, kabineti i sigurisë së Izraelit pritet të diskutojë propozimin më të fundit të ndërmjetësve rajonalë, të cilin Hamasi e ka pranuar një javë më parë.
Ky zhvillim vjen pas demonstratave masive në Izrael këtë muaj, ku qindra mijëra qytetarë u mblodhën në Tel Aviv duke kërkuar fundin e luftës në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve tha se Zamir shprehu “atë që shumica e izraelitëve po kërkojnë”, përfshirë një marrëveshje për kthimin në shtëpi të të gjithë 50 pengjeve të mbetur, prej të cilëve besohet se 20 janë gjallë, si dhe fundin e luftës.
Grupi ka paralajmëruar një tjetër ditë protestash masive të martën.
Propozimi më i fundit, nga ndërmjetësit në Egjipt dhe Katar, thuhet se bazohet në një kornizë të avancuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff në qershor.
Ai parasheh që Hamasi të lirojë rreth gjysmën e pengjeve në dy faza gjatë një armëpushimi fillestar 60-ditor. Po ashtu do të zhvilloheshin negociata për një armëpushim të përhershëm.
Zyra e Netanyahut kishte deklaruar më herët se Izraeli do të pranonte marrëveshje vetëm nëse “të gjithë pengjet lirohen menjëherë”.
Të shtunën, avionë dhe tanke goditën pjesë të qytetit të Gazës, teksa Izraeli vazhdoi planin për të marrë nën kontroll zonën më të madhe urbane të territorit.
Benjamin Netanyahu është zotuar të mposhtë Hamasin dhe ka sfiduar kritikat lidhur me planet për zgjerimin e luftës – kritika që i kanë ardhur si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe nga vetë Zamir.
Sipas mediave izraelite, Zamir është shprehur kundër një okupimi të plotë, duke paralajmëruar rrezikun për jetën e pengjeve dhe përfshirjen e ushtrisë së lodhur në Gaza.
Operacioni ushtarak do të zhvendoste me forcë rreth një milion njerëz nga qyteti i Gazës në kampet në jug, por Izraeli nuk ka dhënë ende afat të saktë për hyrjen e trupave në qytet. Netanyahu raportohet se dëshiron që i gjithë qyteti të vihet nën kontrollin izraelit nga 7 tetori.
Të paktën 1.9 milionë njerëz në Gaza – ose rreth 90 për qinde popullsisë – janë tashmë të zhvendosur, sipas OKB-së.
Javën e kaluar, një monitor i urisë i mbështetur nga OKB tha se në qytetin e Gazës ka shpërthyer uri masive dhe se më shumë se 500 mijë persona në Gaza po përballen me “urinë, varfëri ekstreme dhe vdekje”. OKB dhe agjencitë humanitare thonë se kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i kufizimeve izraelite për lejimin e ushqimit dhe ndihmave në Gaza. Izraeli e ka cilësuar raportin e monitorit si një “gënjeshtër të pastër” duke mohuar se ekziston uri atje.
Lufta në Gaza u shkaktua nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.
Sulmet e Izraelit kanë shkaktuar mbi 62,686 viktima palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi – shifër që OKB e konsideron të besueshme.



