Dy orë panik në Prishtinë: Alarmi për bombë në stacion rezultoi i rremë (VIDEO)

Mëngjesin e kësaj të marte është dhënë alarm për një mjet shpërthyes brenda hapësirave të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas informacioneve nga organet e rendit, njoftimi është pranuar rreth orës 08:00, ndërsa menjëherë janë ndërmarrë masat e sigurisë. Si pasojë, i gjithë perimetri i stacionit është bllokuar, me shirita sigurie të vendosur në hyrje dhe dalje të objektit.

Siç raporton nga terreni gazetarja e Klan Kosovës, Endrita Bajrami, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia K9 e Policisë së Kosovës për të kryer kontrolle të detajuara, si dhe ekipe të Ndihmës së Shpejtë dhe të zjarrfikësve, të cilët kanë qëndruar në gatishmëri në rast të ndonjë ndërhyrjeje.

Kontrollet kanë zgjatur afro dy orë, gjatë së cilave udhëtarët janë evakuuar dhe janë mbajtur jashtë perimetrit të sigurisë, pranë hyrjeve dhe daljeve të stacionit. Pak para orës 10:00, policia ka larguar shiritat e sigurisë dhe ka lejuar rikthimin e udhëtarëve në stacion.

Sipas konfirmimit zyrtar, alarmi ka rezultuar i rremë, pasi gjatë kontrollit të detajuar nuk është gjetur asnjë mjet apo objekt i dyshimtë.

E konfirmon Policia: Nuk u gjet asgjë e dyshimtë në Stacionin e Autobusëve, alarm i rrejshëm

“Vlen të theksohet se një alarm i ngjashëm për mjet shpërthyes ishte raportuar edhe javën e kaluar në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke shkaktuar po ashtu bllokimin e përkohshëm të objektit. Aktualisht, situata është normalizuar dhe qarkullimi i udhëtarëve dhe autobusëve po zhvillohet pa pengesa”, bëri të ditur gazetarja Bajrami.

 

Latest news
Related news