E FUNDIT| Një i mitur godet me thikë bashkëmoshatarin e tij në Suharekë

Pasditen e së enjtes është raportuar se në një lokal në Suharekë, pas një fjalosjeje ndërmjet dy të miturve, njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur tjetrin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, Policia ka reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor, transmeton Klankosova.tv.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit të Hetimeve të Stacionit Policor në Suharekë, së bashku me njësinë e forenzikës, me qëllim të grumbullimit të provave materiale dhe sigurimit të dëshmive.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij incidenti.

Latest news
Related news