Avokati Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se qytetari Avdi Memçaj ndodhet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, pasi është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë.
Sipas Kocit, Memçaj dyshohet për “nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale”, ndërsa familja e tij e ka kontaktuar avokatin duke i kërkuar që të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij, transmeton Klankosova.tv.
Familjarët, sipas Kocit, kanë deklaruar se Memçaj prej vitesh jeton në Kroaci, ku sipas tyre është pronar i disa furrave të bukës. Ata kanë sqaruar se rastin nuk e kanë bërë publik më herët nga frika e pasojave për të dhe për familjen e tij, pasi shpesh udhëtojnë përmes Serbisë drejt Kosovës.
Koci ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të lejuara për mbrojtjen e të drejtave të Memçajt.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin për raste të ngjashme të ndalimeve të shtetasve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, duke përmendur edhe raportime për kontroll të telefonave mobilë në disa raste.
Po ashtu, Koci u ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë institucionet e Kosovës dhe të kërkojnë ndihmë juridike nëse përballen me situata të ngjashme.



