Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka deklaruar se simpatia ndërkombëtare ka humbur kundrejt Kosovës.
Mbrëmë, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gjini tha se kushdo që ka komunikimin me vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dinë se çka thonë për vendin tonë sot, transmeton Klankosova.tv.
“Unë mendoj që dëmi është bërë, kushdo që ka komunikim me Brukselin, me shtetet e BE-së, me ShBA-në, e dinë çka thonë për Kosovën sot. Por për shkak të grerëzave të rrjeteve sociale, njerëzit po hezitojnë edhe me i thënë. Ndjenja për Kosovën është më e ulëta në historinë tonë. Kurrë nuk ka qenë kësisoj. Kurrë Kosova nuk është konsideruar që po bën probleme”, tha Gjini në Klan Kosova.tv.
Sipas tij, sjelljet e papërgjegjshme të çojnë në situata të këqija, që sipas tij, sjell edhe rreziqe.
“Kudo që shkoni, në institucione ndërkombëtare, është pakrahasueshëm edhe sjellja ndaj zyrtarëve të Kosovës, nga ajo që ka qenë para disa viteve. Kanë dashur me na ndihmu, kemi qenë të përkëdhelur, tash nuk është ashtu. Ka humbur simpatia për ne seriozisht. Nuk mendoj që ka humbur përjetë, por disa rreziqe ekzistojnë. Rreziku i parë është që dikush lodhet me ne, rreziku i dytë është që gjeneratat kanë ndërruar”, tha kreu i Aleancës.



