Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke komentuar rastin e fundit që lidhet me qumështoren “Vita”, tha se kjo situatë dëshmon se vendi po qeveriset përmes frikës.
“Vetëm shihe këtë rastin e fundit të qumështores ‘Vita’. Çfarë tregon ajo? Ajo tregon që realisht këtu është një pushtet autoritar i cili qeverisë përmes frikës. Kur një qeveri qeverisë përmes frikës, një opozitë nuk mund ta ketë dilemën se a ta bëjë kuorumin apo s’ta bëjë kuorumin. Unë po flas për vete. Unë nuk mendoj që ne as duhet të hyjmë në sallë”, deklaroi deputeti i PDK-së në Rubikon të Klan Kosova.
Ndër të tjera, ai theksoi se PDK duhet ta rishqyrtojë qasjen e saj politike, duke vlerësuar se zgjedhjet nuk fitohen vetëm gjatë fushatës zgjedhore.
Hoxhaj shtoi se gjatë një fushate zgjedhore mund të ketë vetëm një rritje të vogël të mbështetjes elektorale.
“Unë mendoj që do të duhet ta rimendojmë qasjen tonë si parti politike, se zgjedhjet nuk fitohen gjatë fushatës zgjedhore. Në fushatë zgjedhore mundesh me pasur 2-3 për qind rritje eventualisht,4 për qind, por më shumë se 2-3 për qind nuk ka rritje. Zgjedhjet fitohen kur bën opozitë para se të hysh në proces zgjedhor. Zgjedhjet fitohen kur ke kauza të sakta. Zgjedhjet fitohen kur realisht e sheh problemin real që e ka qytetari, që e ka ekonomia”, deklaroi ai.
Hoxhaj u shpreh se zgjedhjet fitohen kur sipas tij, shihet problemi real që e ka qytetari dhe ekonomia. /Klankosova.tv



