I pakënaqur me notat e fëmijës, prindi dyshohet se kërcënoi mësimdhënësen në Ratkoc të Rahovecit

Një incident është raportuar në një shkollë në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku një prind dyshohet se ka kërcënuar një mësimdhënëse.

Fillimisht u raportua se e kërcënuara ishte drejtoresha e shkollës. Megjithatë, ajo ka deklaruar për Klankosova.tv se ky informacion nuk është i saktë, duke sqaruar se personi i kanosur nuk ishte ajo, por një mësimdhënëse e shkollës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Klankosova.tv se ankesa është pranuar më 1 korrik 2026.

I dyshuari është intervistuar, ndërkaq me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

“Me datë 01 korrik 2026, një ankuese femër ka raportuar rastin se një person (mashkull i moshës madhore) e ka kanosur përmes telefonit, me ç’rast i dyshuari pas raportimit është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec ku edhe është intervistuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit ndaj tij është iniciuar rasti “Kanosje” si dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, tha zëdhënësja e Poliicsë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas burimeve, dyshohet se rasti ka nisur pasi që prindi ka qenë i pakënaqur me notat e fëmijës së tij dhe më pas dyshohet se e ka kanosur mësimdhënësen. /Klankosova.tv

 

Latest news
Related news