Franca ka vazhduar me paraqitjet bindëse në Kupën e Botës, duke siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt pas fitores së dytë radhazi në grup. Nënkampionët e botës në fuqi triumfuan me rezultat të pastër 3:0 ndaj Irakut në ndeshjen e xhiros së dytë.
“Gjelat” kaluan në epërsi që në minutën e 14-të, kur Kylian Mbappe realizoi një gol të bukur nga distanca pas asistimit të Michael Olise.
Takimi u ndërpre menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë për më shumë se dy orë për shkak të rrezikut nga stuhitë dhe shkarkimet e rrufeve në zonën ku po zhvillohej ndeshja.
Pas rifillimit të lojës, Franca vazhdoi dominimin. Mbappe realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për ekipin në minutën e 54-të, këtë herë pas një asistimi nga Ousmane Dembele.
Vetëm 12 minuta më vonë, fituesi aktual i Topit të Artë vulosi fitoren franceze duke shënuar për 3:0, pas një tjetër asistimi nga Michael Olise.
Me këtë triumf, Franca grumbullon gjashtë pikë nga dy ndeshje dhe siguron matematikisht kualifikimin në 1/16 e finales së Kupës së Botës. Në anën tjetër, Iraku mbetet pa pikë pas dy paraqitjeve të para në turne.



