Ish-deputetja britanike Ann Widdecombe u godit 21 herë në kokë me çekan brenda banesës së saj, ndërsa ishte duke ngrënë drekë, në një sulm të dhunshëm që, sipas prokurorisë, është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Gjatë seancës në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, prokurori Kashif Malik deklaroi se i akuzuari për vrasjen, Joshua Kerry, 28 vjeç nga South Yorkshire, mbërriti në shtëpinë e Widdecombe më 8 korrik me një automjet të kuq tip Vauxhall Corsa dhe hyri në banesë nga dera kryesore, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas prokurorisë, Kerry qëndroi në banesë rreth dy minuta, i veshur me doreza të zeza. Ai dyshohet se e goditi viktimën në mënyrë të përsëritur me një çekan në kuzhinë, e rrëzoi nga karrigia dhe më pas i mori portofolin përpara se të largohej me automjet.
I akuzuari u paraqit më vonë edhe në gjykatën Old Bailey, ku u la në paraburgim deri në vijimin e procedurave gjyqësore.
Në seancën e zhvilluar në Old Bailey, prokurori Alistair Richardson e përshkroi sulmin si një akt të kryer me një “egërsi të jashtëzakonshme dhune”.
Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se Widdecombe nuk ishte paraqitur në një intervistë online të planifikuar me emisionin “Matt Allwright Show” të Channel 5, e cila ishte caktuar të zhvillohej pak para orës 13:00 të datës 8 korrik.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta kontaktuar, ekipi i emisionit njoftoi asistenten personale të Widdecombe, e cila kërkoi nga kopshtari i saj të shkonte në banesë për të parë nëse gjithçka ishte në rregull.
Sipas prokurorisë, kopshtari hyri në shtëpi më 9 korrik përmes derës kryesore, e cila ishte lënë e hapur, dhe e gjeti Ann Widdecombe të shtrirë me fytyrë përtokë në dyshemenë e kuzhinës, me plagë të rënda në kokë.
Autoritetet britanike vijojnë hetimet, ndërsa Joshua Kerry përballet me akuzën për vrasje.



