Muharremaj: Stuhia shkaktoi shumë dëme, qyteti dhe të gjitha fshatrat janë të prekura (VIDEO)

Suhareka, e cila u përfshi nga moti i lig pasditen e sotme, pësoi shumë dëme materiale.

E kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka treguar për masat që do të ndërmerren për sa i takon komunës.

“Mora një vendim që të mblidhemi nesër në mëngjes në ora 8 me Bordin për formimin e tri komisioneve: atë për vlerësimin e dëmeve në arsim, në shëndetësi dhe në shërbime publike. Në orët e pasdites ka pasur një rrebesh shumë të madh, ka dëme shumë të mëdha. Dy shkolla i kemi tërësisht në mëshirën e natyrës, ka restorante e ekonomi familjare. Do të mundohemi të bëjmë vlerësimin e dëmeve. Kam ftuar sot kryetarin e komisionit të qeverisë, ka qenë prezent me neve. dëmet janë shumë të mëdha, dhe do të mundohemi të jemi afër çdo qytetari”, deklaroi kreu i Suharekës, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se dëme janë shkaktuar në të gjitha fshatrat e komunës, bashkë me qytetin.

“Duke filluar nga qyteti dhe në të gjitha fshatrat e komunës. Pra, nuk ka fshat që nuk është prekur. Nesër do t’i shohim të gjitha dhe do të vlerësojmë dëmet”, u shpreh Muharremaj.

Latest news
Related news