“Jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja”, analistët për krijimin e institucioneve: S’ka president pa ujdi

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, partitë politike pritet të nisin negociatat për formimin e institucioneve të reja.

Analistët thonë se negociatat duhet të përfshijnë presidentin, qeverinë dhe kuvendin, për të shmangur një krizë institucionale, transmeton Klankosova.tv.

Analisti Vullnet Krasniqi, në emisionin “Kosova Today” deklaroi se pa një marrëveshje politike nuk do të ketë as president të vendit.

“Pak më parë doli një deklaratë e kryeministrit në detyrë, Kurti, i cili tha se së pari kuvendi, qeveria pastaj presidenti. Pra ne jemi duke folur për një shkuarje në zgjedhje të reja, sa po e shoh unë, sepse në një situatë e tillë do të përsëritet përsëri zgjedhjet e kaluara. Nëse nuk ka një marrëveshje politike, nuk do të ketë as president, badihava e zgjedh kryetarin e Kuvendit, badihava e bën qeverinë”, tha Krasniqi në Klan Kosova.

Me Krasniqin u pajtua edhe analisti Shkumbin Kajtazi, transmeton Klankosova.tv.

“Ne s’kemi shkuar në zgjedhje as për qeveri e as për kryetar Kuvendi, kemi shkuar për president. Dhe kushdo që diskuton diçka tjetër para se të ofrojë një zgjidhje se qysh me kalu çështjen e presidentit, është duke bërë lojë”, u shpreh Kajtazi.

Ndërsa analisti Korab Blakaj, thotë se vendet e rezervuara në Kuvend është një nga shqetësimet kryesore në vend.

“Është një lloj formule e përgatitur që ata t’i bëjnë shumë të rëndësishëm për shtetin”, tha ai, teksa diskutonte për formimin e qeverisë.

Latest news
Related news