Izraeli deklaron se ka vrarë komandantin e krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh, në një sulm ajror në Gaza City të martën, vetëm disa ditë pasi paraardhësi i tij ishte vrarë në një tjetër operacion.
Sipas autoriteteve izraelite dhe shërbimit të sigurisë Shin Bet, Odeh ishte shënjestër e një operacioni të planifikuar prej muajsh, duke u bazuar në inteligjencë dhe gjurmim të lëvizjeve të tij.
“Si pjesë e operacionit të përbashkët të IDF dhe Shin Bet për eliminimin e terroristit Mohammed Odeh, disa ndërtesa në zemër të Gazës u sulmuan pasi ai u lokalizua përmes vëzhgimit të gjatë,” thuhet në deklaratën zyrtare, raporton BBC.
Sulmi ka goditur një ndërtesë banimi në një nga zonat më të frekuentuara tregtare të qytetit Gaza, duke lënë të paktën tre të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas mjekëve palestinezë.
Ndërtesa e goditur ndodhej në zonën ku qytetarët po përgatiteshin për festën e Kurban Bajramit, ndërsa ekipet e shpëtimit hasën vështirësi në arritjen e të plagosurve për shkak të dëmeve të mëdha.
Ushtria izraelite ka deklaruar gjithashtu se objektiv i sulmit ishte edhe një banesë që, sipas tyre, lidhej me anëtarë të Hamasit të përfshirë në sulmet e 7 tetorit.
Hamas nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për këtë ngjarje.



