Krimeja është duke u futur në krizë energjetike, pasi ndërprerjet e rrymës po përhapen në gjithë gadishullin ukrainas të pushtuar nga Rusia. Ndërkohë, autoritetet vendase të instaluara nga Kremlini kanë ngritur “qendra të ndihmës emergjente”. /REL/

Një seri sulmesh me dronë ukrainas, që kanë shënjestruar rrjetin energjetik të Krimesë gjatë javës së kaluar, kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të gadishullit të pushtuar nga Rusia.

Furnizuesi me energjisë elektrike në Krime, Krimenergo, njoftoi më 7 korrik se: “Për shkak të avarive të shkaktuara nga sulmet me dronë të armikut, një numër vendbanimesh përballen me mungesë të energjisë elektrike”.

Në deklaratën e Krimenergos renditen 19 qytete dhe vendbanime në gjithë Krimenë që vazhdojnë të kenë mungesë furnizimi me rrymë edhe më 7 korrik.

Kriza e energjisë vjen pasi forcat ukrainase pretenduan se, që nga 1 korriku, kanë kryer 38 sulme me dronë ndaj infrastrukturës energjetike të Krimesë, përfshirë një sulm ndaj rrjetit elektrik të Simferopol, kryeqyteti dhe qyteti i dytë më i madh i Krimesë, më 6 korrik.

Kriza e energjisë elektrike në Krime, e cila po zhvillohet paralelisht me mungesat e vazhdueshme të karburantit në gjithë gadishullin, ka bërë që në disa qytete të preken shërbime jetike, si furnizimi me ujë, ndërsa shërbimi i tramvajit është pezulluar.

Pompat komunale të furnizimit me ujë në Jevpatoria raportohet se dolën jashtë funksionit për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. “Presioni i ujit në rrjet është nën nivelin e kërkuar dhe uji nuk po arrin në katet e sipërme të ndërtesave ose në zonat e ngritura”, njoftoi një zyrtar më 6 korrik.

Një largim i dukshëm i turistëve nga Krimeja drejt Rusisë u filmua në fund të qershorit, mes një krize energjetike të shkaktuar nga sulmet ukrainase ndaj transportuesve të karburantit dhe infrastrukturës energjetike.

Autoritetet e vendosura nga Rusia kanë hapur “qendra të ndihmës emergjente” në disa qytete të Krime që nga 5 korriku. Këto qendra ofrojnë “karikim të telefonave, qasje në shërbimet e komunikimit dhe ndihmë të menjëhershme”, në kushtet e krizës së vazhdueshme të energjisë elektrike.



