Kurti kryetar i blerjes së tepisonave, VV tenton ta përvetësojë kandidimin e KOK-ut për Lojërat Mesdhetare

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon mashtrimin dhe manipulimin në tentativë të kapjes së votave

Së fundmi, aktivistë të saj ndan një informacion të pavërtetë, duke pretenduar se Daulina Osmani, një zyrtare e lartë e Vetëvendosjes, ka iniciuar kandidimin e Kosovës për Lojërat Mesdhetare.

Por e vërteta është krejt ndryshe: sipas burimeve ekskluzive të klankosova.tv, këtë proces e ka iniciuar dhe udhëhequr Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), si institucioni legjitim dhe përgjegjës për çështjet sportive.

Aktiviteti i KOK-ut në këtë drejtim është i njohur botërisht, dhe përpjekja për t’ia atribuuar këtë sukses një individi, është një akt i pastër manipulimi nga Vetëvendosje për të rritur popullaritetin në mënyrë të padrejtë.

Mbi këto gjetje, Komiteti Olimpik i Kosovës dha një deklaratë për klankosova.tv, në të cilën jep qëndrimin e tij, se nuk duan të përfshihen në asnjë fushatë elektorale.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të neutralitetit dhe pavarësisë së tij nga çdo aktivitet apo deklarim politik.

KOK nuk përfshihet dhe nuk do të përfshihet në asnjë fushatë elektorale të partive politike, duke ruajtur integritetin dhe misionin e tij për zhvillimin e sportit në vend.

Gjithashtu, në lidhje me procesin e marrjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, KOK nuk dëshiron të përfshihet në diskutime mbi atribuimin e meritave, pasi fokusi ynë i vetëm mbetet bashkëpunimi me të gjitha institucionet relevante dhe palët e interesuara për realizimin sa më të suksesshëm të kësaj ngjarje madhore sportive.

Për më tepër, kryesues i Komisionit për Lojërat Mesdhetare nuk do të jetë Komiteti Olimpik i Kosovës, siç ndodh në çdo shtet tjetër që respekton praktikat ndërkombëtare, por do jetë kryeministri Albin Kurti.

Kjo qasje është një devijim i hapur nga standardet profesionale dhe ndërkombëtare. Në vend që detyrën ta kryejnë ekspertët dhe profesionistët e fushës, procesi po kapet nga kryeministri Albin Kurti, duke e politizuar edhe më tej këtë ngjarje sportive të rëndësishme.

Në këtë situatë nënkuptohet se kryeministri do të merret me çështje teknike si blerja e tepisonëve dhe organizimi i ndarjes së fushave sportive!

Kjo qasje tregon edhe një herë tendencën për ta vendosur çdo proces në shërbim të propagandës politike.

Manipulimi i Vetëvendosjes dhe përfshirja direkte e Kurtit në këtë çështje nuk ka të bëjë me sportin, por vetëm me mbledhjen e votave dhe përfitimet politike.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të ndarë manipulime, faktet mbeten të qarta: Lojërat Mesdhetare janë iniciativë dhe sukses i Komitetit Olimpik të Kosovës, jo i Vetëvendosjes apo individëve që duan të përfitojnë nga mundi i të tjerëve.

Klankosova.tv duke qenë korrekt me të gjitha palët, ka kërkuar një koment edhe nga Daulina Osmani, por deri në këtë kohë, nuk ka pranuar asnjë përgjigje në redaksi.

Se inicimi i kandidimit të shtetit të Kosovës për Lojërat Mesdhetare, u bë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, e dëshmon edhe procedura e publikuar në dokumentet zyrtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nga kapitulli i pestë.

The post Kurti kryetar i blerjes së tepisonave, VV tenton ta përvetësojë kandidimin e KOK-ut për Lojërat Mesdhetare appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news