Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në Edicionin Special tha se kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, po bënë keqpërdorim të pozitës zyrtare përmes emërimeve të reja në Qeverinë në detyrë, duke kërkuar që institucionet kompetente të reagojnë.
Miftaraj e cilësoi të pakuptimtë emërimin e zëvendësministrave të rinj në një qeveri me mandat të kufizuar, duke theksuar se çdo kabinet i ri qeveritar do të duhet të bëjë emërime të reja.
Është e pakuptimtë të emërohen ministra apo zëvendësministra të rinj kur dihet se me formimin e qeverisë së re do të ketë një kabinet të ri dhe do të lëshohen dekrete të reja. Këto emërime mund të vlejnë vetëm disa javë”, tha ai.
Sipas Miftarajt, një qeveri në detyrë nuk ka mandat të plotë për të qeverisur, por vetëm për të administruar vendin, ndërsa emërimet e tilla bien ndesh me parimet e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë.
Ai tha se këto veprime po bëhen për t’i sistemuar politikisht individë të caktuar dhe jo për interesin e qytetarëve.



