La Liga rikutjon golin spektakolar të Muriqit në sezonin 2025.26

Sulmuesi i Mallorcës dhe i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në aspektin individual, ndonëse nuk ka arritur të ndihmojë ekipin e tij në objektivat kolektive.

Ylli dardan ka shënuar 23 gola në La Liga në sezonin 2025/26, por këto realizime nuk ishin të mjaftueshme për ta mbajtur Mallorcën në elitën e futbollit spanjoll, transmeton Klankosova.tv.

Klubi spanjoll ka rënë nga kategoria pasi ka grumbulluar vetëm 42 pikë në 38 ndeshje, duke përfunduar në pozitën e 18-të në tabelë.

Megjithatë, Muriqi ka lënë gjurmë të thella në historinë e klubit dhe të kampionatit spanjoll.

“Pirati dardan” është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcës në La Liga, duke tejkaluar legjendën Samuel Eto’o, ndërsa ka thyer edhe një tjetër rekord, duke u bërë lojtari me më së shumti gola në një sezon të vetëm për klubin në elitën e futbollit spanjoll.

Performanca e tij nuk ka kaluar pa u vënë re as nga La Liga, e cila ka risjellë një nga golat e bukur të sulmuesit kosovar ndaj Elches, të realizuar me kokë.

Në rrjetet sociale, La Liga e ka përshkruar atë me epitetin “Pirati i Mallorcës”.

Muriqi e mbylli këtë edicion si sezonin e tij të katërt me Mallorcën, klub me të cilin fillimisht kishte luajtur edhe në huazim para transferimit të përhershëm në Spanjë.

Latest news
Related news