Llapi fiton në Ferizaj, por nuk i shmanget barazhit – Dinamo e pret në “finalen” për Superligë

Llapi ka shënuar fitore 2:3 në udhëtim ndaj Ferizajt në ndeshjen e fundit të kampionatit, por tre pikët nuk kanë mjaftuar për të ndryshuar fatin e skuadrës llapjane në renditje.

Ferizaj kaloi i pari në epërsi me golin e Erti Sherifit për 1:0, ndërsa Llapi barazoi falë një autogoli të Ergys Peposhit. Më pas mysafirët përmbysën gjithçka, duke krijuar epërsi të dyfishtë me golat e Fiton Ademit dhe Dior Gërbovcit.

Në fund, Ferizaj ngushtoi rezultatin, por ndeshja u mbyll me fitoren 2:3 të Llapit. Lojtari më i dalluar i takimit ishte Dior Gërbovci, i cili vulosi suksesin e skuadrës së tij.

Megjithatë, kjo fitore nuk pati peshën e dëshiruar për Llapin, pasi skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e mbylli sezonin në pozitën e tetë dhe tashmë do të luajë ndeshjen e barazhit për mbijetesë në Superligë.

Kundërshtari i Llapit do të jetë Dinamo e Ferizajt, që synon rikthimin historik në elitën e futbollit kosovar, duke e kthyer përballjen në një duel vendimtar për të ardhmen e të dy klubeve.

Latest news
Related news