Macron bisedë telefonike me presidentin iranian

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, ai shkruan se mesazhi i tij ishte për një kthim në tryezën e negociatave për të adresuar çështjet balistike dhe bërthamore, dhe për rifillimin e punës së IAEA-së në Iran.

Më herët, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi hodhi poshtë deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se vendet e tyre do të riangazhohen në negociatat bërthamore javën e ardhshme.

“Nëse interesat tona kërkojnë një kthim në negociata, ne do ta shqyrtojmë atë. Por në këtë kohë, nuk është bërë asnjë marrëveshje apo premtim, dhe është zhvilluar asnjë bisedë”, u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit.

Araghchi theksoi se ata po negocionin kur Izraeli nisi sulmin e tij të paprovokuar më 13 qershor ndaj Iranit.

Trump urdhëroi fundjavën e kaluar goditjen e tre centraleve bërthamore iraniane me qëllim përfundimin e programit bërthamor të Iranit.

Araghchi akuzoi Trumpin se po tradhtonte përpjekjet diplomatike për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Ndërsa Trump pretendoi se SHBA-të kishin “zhdukur” centralet kryesore bërthamore të Iranit, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se centralet ishin dëmtuar rëndë, por sugjeroi që Irani duhet të jetë në gjendje të pasurojë uraniumin “brenda pak muajsh”.

Latest news
Related news