Mallorca me postim emocional pas largimit të Vedat Muriqit

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është transferuar zyrtarisht te Fenerbahçe, duke i dhënë fund aventurës së tij trevjeçare e gjysmë me fanellën e Mallorcas në futbollin spanjoll.

Ylli dardan rikthehet kështu në futbollin turk dhe në klubin ku kishte lënë gjurmë edhe më parë.

Kalimi i tij te gjiganti turk u zyrtarizua mbrëmjen e kaluar, ndërsa gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe klubi spanjoll, Mallorca, duke e falënderuar sulmuesin kosovar për kontributin e dhënë gjatë viteve të fundit, transmeton Klankosova.tv.

Përmes një postimi në platformën “X”, Mallorca konfirmoi arritjen e marrëveshjes me Fenerbahçen për transferimin e Muriqit dhe vlerësoi lart ndikimin e tij në historinë e klubit.

“RCD Mallorca dhe Fenerbahçe SK kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Vedat Muriqit. Sulmuesi kosovar largohet nga ishulli si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i RCD Mallorca në La Liga”, thuhet në postimin e klubit spanjoll.

Gjatë qëndrimit të tij në Mallorca, Muriqi u shndërrua në një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës, duke kontribuar me gola vendimtarë dhe paraqitje të qëndrueshme që ndihmuan klubin të konsolidohej në elitën e futbollit spanjoll.

 

Latest news
Related news