Ka shumë pak gjëra që Lionel Messi nuk i ka përjetuar në një fushë futbolli.
Por gjysmëfinalja mes Argjentinës dhe Anglisë, që zhvillohet të mërkurën në orën 20:00 në Atlanta, do t’i sjellë një eksperiencë krejt të re tetë herë fituesit të “Topit të Artë”.
Pavarësisht se ka zhvilluar mbi 200 ndeshje dhe ka shënuar 125 gola me fanellën e Argjentinës, Messi nuk është përballur asnjëherë më parë me “Tre Luanët”.
Për një moment dukej se kjo përballje do t’i mohohej atij, pasi Zvicra kishte avantazhin në çerekfinale, por Argjentina arriti të triumfonte 3-1 pas kohës shtesë.
Messi nuk arriti të shënonte për herë të parë në këtë turne, por vazhdon të kryesojë garën për “Këpucën e Artë” së bashku me Kylian Mbappen, me tetë gola të shënuar, duke qenë njëkohësisht golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, transmeton Klankosova.tv.
“Mund të jetë se Anglia e tejkalon Argjentinën në vrapim, por ata kanë atë gjeniun e vogël, Messin. Të gjithë luajnë për të. Të gjithë duhet të jenë të emocionuar”, tha eksperti i BBC-së, Micah Richards.
“Është pothuajse e pamundur ta markosh. Ai gjen hapësira ku askush nuk pret që të jetë.
Aktivizohet në momentet e duhura, ka teknikën më të mirë dhe një goditje fantastike. Mbi të gjitha, ai ka atë që ka edhe Jude Bellingham – personalitetin dhe aurën”.
Ish-sulmuesi anglez Wayne Rooney theksoi se edhe pse Messi nuk kontribuon shumë në fazën mbrojtëse, ai mund ta vendosë një ndeshje me cilësinë e tij në momentet vendimtare.
“Ai mund të jetë një dobësi për Argjentinën në aspektin defensiv, sepse nuk kthehet shumë pas. Por Messi ka momente të mëdha dhe merr vendimet e duhura kur loja e kërkon”, tha Rooney.



