Milicia pro-iraniane në Irak kërcënon SHBA-në nëse Trump hyn në luftë

Një milici e fuqishme shiite e mbështetur nga Irani në Irak është zotuar të enjten se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, nëse administrata Trump përfshihet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

“Ripohojmë, me edhe më shumë qartësi, se nëse Shtetet e Bashkuara hyjnë në këtë luftë, atëherë i çmenduri (Presidenti amerikan Donald) Trump do të humbasë të gjitha trilionët që ëndërron t’i marrë nga ky rajon. Janë hartuar plane operacionale për këtë qëllim,” ka thënë Abu Ali al-Askari, udhëheqësi i sigurisë së grupit Kataib Hezbollah, në një deklaratë sot, raporton CNN.

“Pa dyshim, bazat amerikane në të gjithë rajonin do të shndërrohen në fusha gjuetie si për rosat,” ka shtuar ai në deklaratë.

Al-Askari gjithashtu ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, si dhe të kalimit të ngushtë Bab-el-Mandeb që të çon në Detin e Kuq nga jugu. Ai ka shtuar se “portet e naftës përgjatë Detit të Kuq do të ndalojnë punën — për të mos përmendur surprizat e paparashikueshme që mund t’i presin avionët e tyre në qiell.”

Ndryshe, për grupin milicor Kataib Hezbollah, CNN shkruan se në janar 2024, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se Kataib Hezbollah, një grup milicor shiit i mbështetur nga Irani, ka shumë gjasa të ketë kryer një sulm me dron që vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi më shumë se 30 të tjerë në një postë të vogël amerikane në Jordani, të njohur si Tower 22, pranë kufirit me Sirinë.

Latest news
Related news