Prindërve të 5-vjeçarit iu zgjatet paraburgimi, si është sot gjendja e fëmijëve? (VIDEO)

Ulur në tokë, në errësirë dhe duke u mbajtur me duar. Në këtë gjendje ishte gjetur 5-vjeçari lipjanas në mars të këtij viti.

Kiks Kosova, me 17 mars transmetoi detaje ekskluzive të ngjarjes e cila tronditi tërë vendin.

Në ditën e 16-të të muajit të tretë të 2026-ës, Policia e Kosovës arrestoi dy bashkëshortët, V. P dhe A. K, ngase dyshohej se neglizhuan djalin e tyre më të vogël. Përveç 5-vjeçarit, çifti kishte edhe 6 fëmijë të tjerë, por që si familje ishin emra të njohur për organet përgjegjëse.

Për Kiks Kosovën, Gjykata Themelore e Prishtinës konfirmoi që paraburgimi për prindërit është zgjatë edhe për një muaj tjetër, deri më 14 korrik.

Sipas informatave të pranuara nga gjyqtarja e çështjes, në këtë çështje penale është caktuar seanca fillestare. Megjithatë, në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë procedurën ndaj të miturve, seancat në këto raste janë të mbyllura për publikun

Emisioni, kuptoi po ashtu që gjendja shëndetësore e fëmijës i cili iu nënshtrua operimit të shputave, është e mirë dhe stabile.

Sipas një përgjigje nga Klinika e Pediatrisë, 5-vjeçari është duke i ndjekur seancat e logopedisë tri herë në javë. Ai ka filluar të ushqehet në mënyrë të pavarur, është përshtatur me ambientin ku qëndron dhe është socializuar me fëmijët e tjerë.

Derisa Kiks Kosova, tentoi të kuptoi edhe për gjendjen e 6 fëmijëve të tjerë të cilët janë nën mbikëqyrje të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan. Por, meqenëse rasti lidhet drejtpërdrejtë me fëmijë të cilët janë të gjithë të mitur, Qendra për Punë Sociale nuk ndau informacione të detajuara për gjendjen e tyre.

Përveç që konfirmoi se po, gjendja e fëmijëve është e mirë dhe janë në duar të sigurta.

Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova:

Latest news
Related news