MINT-i e vazhdon masën e përkohshme të çmimeve të derivateve të naftës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se ka vendosur të zgjasë edhe për 30 ditë masën e rregullimit të përkohshëm të çmimeve maksimale të produkteve të naftës në treg.

Sipas njoftimit të Ministrisë, kjo masë është marrë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimit të çmimeve të arsyeshme për qytetarët, në një periudhë kur luhatjet e tregut ndërkombëtar mund të ndikojnë në çmimet vendore të karburanteve, transmeton Klankosova.tv.

Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.

MINTI u bën thirrje të gjitha subjekteve që merren me tregtimin e produkteve të naftës të respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut.

Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se kjo masë ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe garantimin e funksionimit normal e transparent të tregut të derivateve të naftës.

Latest news
Related news