Një zyrtar amerikan thotë se po zhvillohen kërkime për ekuipazhin e aeroplanit të SHBA-së të rrëzuar në Iran

Një aeroplan luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar nga forcat iraniane mbi Iran dhe kërkimet janë duke vazhduar për ndonjë të mbijetua, tha një zyrtar amerikan në Uashington për Radion Evropa e Lirë.

Nëse konfirmohet zyrtarisht ky do të jetë aeroplani i parë luftarak amerikan që është rrëzuar nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Republikës Islamike më 28 shkurt.

Zyrtarët amerikanë thanë për REL-in se aeroplani i rrëzuar ishte i llojit F-15E, me dy ulëse.

Ushtria amerikane nuk ka komentuar, ndërkaq Shtëpia e Bardhë tha vetëm se presidenti amerikan, Donald Trump, është informuar për këtë çështje.

Deklarata e këtij zyrtari amerikan erdhi disa orë pasi Irani tha më 3 prill se ka rrëzuar një aeroplan të SHBA-së dhe ka ofruar shpërblim për shtetasit iranianë që kapin anëtarët e ekuipazhit.

Zyrtari nuk ofroi asnjë informacion shtet, por burimet iraniane kanë publikuar fotografi dhe video që pretendojnë se janë dëshmi e incidentit.

Reuters, The New York Times, The Wall Street Journal dhe media të tjera po ashtu kanë cituar burime të paidentifikuara që kanë raportuar për rrëzimin e aeroplanit dhe për kërkimin për ekuipazhin.

“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion të kërkimit për të gjetur pilotin amerikan që e sulmuam më herët gjatë ditës së sotme”, raportoi agjencia e lajmeve iraniane, Fars, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare Islamike.

Përderisa aeroplanë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar ose janë goditur nga raketa apo dronë iranianë ndërsa ndodheshin në tokë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, rrëzimi i aeroplanit luftarak, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të ishte rasti i parë i raportuar i një avioni luftarak amerikan të rrëzuar nga zjarri armik.

Më 12 mars, gjashtë pjesëtarë të forcave amerikane humbën jetën kur një aeroplan për furnizim me karburant, i llojit KC-135, u rrëzua pas një përplasjeje në ajër me një tjetër aeroplan karburanti.

Ndërkaq më 27 mars, një sulm me raketa dhe dronë iranian goditi Bazën Ajrore Princi Sulltan në Arabinë Saudite, duke plagosur të paktën 12 ushtarë amerikanë dhe duke dëmtuar rëndë të paktën dy aeroplanë KC-135 të mbushjes ajrore.

Tre aeroplanë McDonnell Douglas F-15E Strike Eagle të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara u rrëzuan mbi Kuvajt më 2 mars, pasi u goditën gabimisht nga forcat e Kuvajtit. Gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit shpëtuan, pasi dolën nga fluturakja me parashuta.

Latest news
Related news