​Personi i parë me amputim të trefishtë lundron përmes Paqësorit drejt Japonisë

Një veteran i ushtrisë britanike, i cili humbi të dy këmbët dhe dorën e majtë në Afganistan, u bë personi i parë me amputim të trefishtë që lundroi vetëm përmes Paqësorit, duke arritur në destinacionin e tij në Japoninë perëndimore, raportuan mediat lokale të mërkurën.

Craig Wood, 34-vjeç, i cili u nis nga Meksika në mars, mbërriti në Portin e Hiroshimës të martën në mëngjes pas një udhëtimi 90-ditor, raportoi Kyodo News me seli në Tokio.

Ai lundroi rreth 13,000 kilometra në një katamaran alumini 12.5 metra të ndërtuar me porosi.

“Shpresoj sinqerisht që kjo arritje monumentale t’u tregojë të tjerëve, veçanërisht atyre që jetojnë me humbje të gjymtyrëve, se jeni të aftë të bëni shumë më tepër sesa mendoni. Nuk ka kufizime”, tha Wood në një postim në Instagram të mërkurën.

Ai u plagos në vitin 2009 në moshën 18-vjeçare në një shpërthim në Afganistan, ndërsa ishte në një patrullim rutinë, vetëm një vit pasi iu bashkua ushtrisë, raporton KosovaPress.

Wood planifikon të vizitojë Muzeun Memorial të Paqes në Hiroshima, i cili dokumenton bombardimin atomik amerikan të qytetit në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Latest news
Related news