Gazetari dhe studiuesi Nusret Pllana ka risjellë në vëmendje veprën e tij, “Fëmijët shqiptarë në Kosovë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë”. Libri përmban dëshmi rrëqethëse, ku secili fëmijë i vrarë figuron me emër, mbiemër, fotografi, si dhe me datën e lindjes dhe të vrasjes.
I ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Pllana theksoi se kjo vepër duhet të jetë “arma” diplomatike e çdo zyrtari shtetëror.
“Kryeministri i Kosovës e ka një kopje të tillë, sepse ky libër i ka 7 botime… Çdo kryeministër, çdo president, çdo ambasador, do të duhej ta kishte obligim moral minimal që të mos shkojnë [jashtë vendit] pa i pasur me vete këta libra apo këta filma dokumentarë, sepse çdo fotografi flet më shumë se 10 mijë fjalë”, deklaroi Pllana.
Përtej rëndësisë historike dhe dokumentuese, Pllana ngriti shqetësimin se projekti ka mbetur i bllokuar për sa i përket tirazheve të reja, duke bërë një thirrje publike për mbështetje.
“Tash e 8 vite libri nuk ka mundësi të ribotohet”, tha ai, duke bërë thirrje të hapur që kushdo që ka mundësi, ta ndihmojë dhe ta ribotojë këtë vepër dokumentuese të krimeve serbe në Kosovë.



