Një vajzë katërvjeçare ka humbur jetën të mërkurën pasdite pas një sulmi nga një qen në zonën e Osternienburger Land, në Gjermani.
Policia, ekipet e emergjencës dhe mjeku i urgjencës u njoftuan rreth orës 16:00 pas një telefonate, dhe pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta rikthyer në jetë, ekipet mjekësore nuk arritën ta shpëtonin fëmijën. Mjeku i urgjencës vetëm sa mundi të konstatonte vdekjen e saj, raportojnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, vajza dhe qeni ndodheshin në të njëjtën banesë. Dyshohet se kafsha e ka sulmuar fëmijën, duke i shkaktuar plagë fatale.
Kur mbërritën në vendngjarje, forcat e policisë nuk konstatuan më rrezik të menjëhershëm nga qeni. Ekipet e shpëtimit nisën menjëherë masat e reanimimit, por ndërhyrja rezultoi e pasuksesshme.
Policia e Dessau-Roßlaut bëri të ditur se qeni është marrë nën kontroll pas incidentit dhe i është dorëzuar një institucioni për mbrojtjen e kafshëve. Sipas autoriteteve, aktualisht kafsha nuk paraqet më rrezik për njerëzit.



