Regjimi i Assadit zhvendosi varrezën masive për të fshehur krimet

Një hetim i agjencisë Reuters ka zbuluar se regjimi i Bashar al-Assadit kreu një operacion sekret nga viti 2019 deri në 2021 për të zhvendosur dhjetëra mijëra trupa nga varreza masive në Qutayfah, afër Damaskut, në një vend të fshehtë në shkretëtirën e Dhumair-it.

Operacioni, i koduar “Lëviz Tokën” (“Move Earth”), kishte për qëllim fshehjen e provave të krimeve të regjimit dhe përmirësimin e imazhit të Assadit në arenën ndërkombëtare, raportoi Reuters.

Agjencia tha se përmes dëshmive të 13 personave të përfshirë, dokumenteve dhe analizës së imazheve satelitore, është zbuluar se për pothuajse dy vite, çdo javë, kamionë të mbushur me mbetje njerëzore udhëtonin nga Qutayfah drejt Dhumair-it.

Sipas një ish-oficeri të Gardës Republikane, “urdhri ishte pastrimi i varrezës masive dhe fshehja e provave të vrasjeve”. Shoferët që morën pjesë në operacion thanë për Reuters se “askush nuk guxonte të mos zbatonte urdhrat, përndryshe do të përfundonte vetë në ato gropa”.

Me të paktën 34 hendeqe që arrijnë deri në 2 kilometra secila, varreza e re në shkretëtirën e Dhumair-it konsiderohet një nga më të mëdhatë e krijuara gjatë luftës civile siriane.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, mbi 160 mijë persona janë zhdukur në aparatin e sigurisë së Assadit dhe besohet se shumë prej tyre janë varrosur në varreza të tilla masive.

Ministri sirian i Emergjencave, Raed al-Saleh, tha për Reuters se “plaga do të vazhdojë të gjakoset përderisa ka nëna që presin të gjejnë varret e bijve të tyre dhe fëmijë që presin varret e etërve”.

Ndërkohë, Mohamed Al Abdallah, drejtori i Qendrës për Drejtësi dhe Llogaridhënie në Siri, e cilësoi transferimin e trupave si “shkatërrimtar për familjet”, por shtoi se krijimi i Komisionit për Personat e Zhdukur nga qeveria e re “është një hap pozitiv, ndonëse ende i mungojnë burimet dhe ekspertët”.

Latest news
Related news