Polonia, Çekia dhe Sllovakia po përgatiten për temperatura rekord mbi 40°C, ndërsa një valë të nxehti që ka lidhje me qindra vdekje në Evropën Perëndimore po përhapet drejt lindjes.
Më shumë se 191 milionë njerëz në Evropë u përballën me temperatura të paktën 35°C të dielën, ndërsa paralajmërime për nxehtësi ekstreme janë lëshuar në Gjermani, Çeki, Poloni dhe Hungari, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Në Poloni, rekordi historik i temperaturës prej 40.2°C i vitit 1921 mund të tejkalohet të dielën. Agjencia e sigurisë e qeverisë polake u dërgoi qytetarëve mesazhe telefonike duke i këshilluar të shmangin diellin dhe aktivitetet fizike të lodhshme, të pinë shumë ujë dhe të mbajnë kapele gjatë fundjavës.
Në disa qytete janë vendosur “perde uji” për të ndihmuar njerëzit të freskohen.
Ndërkohë, Instituti Meteorologjik i Çekisë deklaroi se temperaturat pritet të kalojnë 41°C “në mënyrë të konsiderueshme”.
Temperatura rekord gjatë natës janë regjistruar edhe në Gjermani, ku qyteti Bautzen në Saksoninë lindore raportoi një temperaturë minimale prej 29.4°C gjatë natës.
Policia e Berlinit përdori topa uji (ujëhedhës) për të ndihmuar banorët e kryeqytetit të freskoheshin të shtunën dhe pritet ta përsërisë këtë veprim edhe sot. Ndërkohë, operatori hekurudhor gjerman Deutsche Bahn këshilloi të shmangen të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme gjatë fundjavës.
Në Sllovaki, temperatura mbi 39°C u regjistruan në jugperëndim të vendit, ndërsa rekordi historik prej 40.3°C i vendosur në vitin 2007 ka gjasa të tejkalohet të dielën ose të hënën. Parashikimet tregojnë se vendi mund të përjetojë për herë të parë që nga fillimi i matjeve në vitin 1871 tre ditë radhazi me temperatura mbi 40°C.



