Në ceremoninë ku liderë të shteteve të ndryshme të Evropës dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nderojnë të rënët e Ukrainës në mbrojtje të këtij vendi nga Rusia pushtuese, në këtë nderim askund nuk u pa njëri nga pjesëmarrësit e Samitit që u mbajt të mërkurën në kryeqytetin ukrainas mes vendit nikoqir dhe vendeve të Evropës Juglindore.
Bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili, pos këtij bojkoti, refuzoi po ashtu të nënshkruajë Deklaratën e Përbashkët që doli nga samiti, raporton Klan Kosova.
Për këtë dhe për atë që thotë se Ukraina e vende të tjera nuk do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran, u lavdërua vetë kryetari serb.
Kjo çka ndodhi në Kiev po kritikohet ashpër nga ekspertë evropianë të politikës së jashtme.
Toby Vogel, nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave me seli në Bruksel, thotë për Klan Kosova se qasja e kreut serb është një tjetër shembull se si ai përpiqet të luajë me të dyja palët.
Ai vlerëson se Vuçiqi dëshiron të duket para mbështetësve të tij perëndimorë si një aleat i Ukrainës, por në të njëjtën kohë nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.
Siç thotë Vogel, Brukseli dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë lënë kryetarin në Beograd të vazhdojë të shpëtojë me këtë balancim, dhe në kushtet aktuale ai nuk ka asnjë nxitje për të ndryshuar politikën e tij.
Eksperti i politikave të jashtme pohon po ashtu se “Serbia, me sa duket, po fiton para të mira nga tregtia indirekte e armëve me Ukrainën dhe, duke pasur parasysh se procesi i pranimit të Serbisë në BE është bllokuar plotësisht për momentin, BE-ja nuk ka shumë ndikim mbi të tani”.
Për më tepër, ndiqni kronikën e plotë:



