ShBA-ja dhe Irani intensifikojnë sulmet, ndërsa Khamenei përcillet në banesën e fundit

ShBA-ja dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve edhe gjatë së enjtes, ndërsa vëzhguesit raportojnë për një rënie të ndjeshme të numrit të anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Sipas autoriteteve amerikane, forcat e ShBA-së kanë goditur rreth 90 objektiva ushtarake, disa prej tyre pranë Ngushticës së Hormuzit. Nga ana tjetër, Irani njoftoi se si pasojë e sulmeve të dy ditëve të fundit kanë humbur jetën të paktën 14 persona, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se janë goditur objektiva pranë centralit bërthamor të Bushehrit, duke cituar zëvendësguvernatorin e provincës. Deri më tani, ShBA-ja nuk ka komentuar këto pretendime.

Në kundërpërgjigje, Irani deklaroi se ka shënjestruar objektiva amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Katar. Më vonë gjatë së enjtes, mediat pranë qeverisë iraniane raportuan për sulme të tjera ndaj objektivave në Kuvajt, Jordani dhe Irak.

Ndërkohë, mijëra qytetarë u mblodhën në qytetin Mashhad për ceremoninë mortore të liderit të ndjerë suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u varros pas gjashtë ditësh ceremonish funerale.

Sipas transmetuesit shtetëror IRIB, trupi i Khameneit u vendos në kompleksin përkujtimor të Faltores së Imam Rezas, një nga vendet më të shenjta për myslimanët shiitë. Arkivoli, i mbuluar me flamurin iranian, u përcoll drejt varrit mes lutjeve dhe pranisë së një turme të madhe njerëzish.

Në ceremoni nuk u pa djali dhe pasardhësi i tij i shpallur, Mojtaba Khamenei. Ai nuk është shfaqur në publik që nga sulmi ku, sipas raportimeve, mbeti i plagosur rëndë, i njëjti sulm në të cilin humbi jetën edhe babai i tij.

Latest news
Related news