Për 80 vjet pas bombardimit të Hiroshimës, aerodromi ushtarak në ishullin Tinian, nga ku bombarduesit u nisën, kishte mbetur kryesisht i braktisur.
Tani, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar praninë ushtarake të SHBA-së në ujërat afër Tajvanit, ky aerodrom historik po rikthehet në funksion për përdorim nga bombarduesit modernë. /REL/

Ushtria tha se statusi aktual i aerodromit historik North Field në Tinian “konsiderohet informacion konfidencial”, por dy banorë lokalë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë përmes telefonit kanë konfirmuar se puna për rindërtimin e bazës ajrore po vazhdon. “Ata ende janë duke e pastruar aerodromin”, tha një hotelier vendas në ishullin e vogël të Paqësorit më 6 nëntor.

Rindërtimi i aerodromit North Field në Tianin është faza e fundit në rolin e madh që ka luajtur ky ishull i vogël në historinë ushtarake.

Forcat amerikane e morën nën kontroll nga japonezët këtë ishull në gusht të vitit 1944, teksa SHBA-ja po avanconte në Paqësor drejt Japonisë gjatë fazës përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore.

Ishulli ishte pikë kyç për stacionimin ushtarak të SHBA-së për shkak të vendndodhjes së tij, duke e vendosur Japoninë brenda rrezes së veprimit të bombarduesin strategjik më të ri amerikan, B-29.

Pas marrjes së Tianianit, një fushatë masive e ndërtimit që përfshinte vendosjen e pistave me kilometra të gjata u ndërtuan nga koralet e thyera.

Për shkak të sekretit strikt, pjesë të armës së parë bërthamore që do të përdorej në betejë u dërguan veçmas dhe u transportuan me avion në Tianin në korrik të vitit 1945, ku bomba u montua.

Bomba e montuar u ngarkua në avionin B-29 Enola Gay, të emëruar sipas nënës së pilotit të tij, kolonelit Paul Tibbets më 5 gusht 1945, nga një podium special i ndërtuar në North Airfield. Avioni u nis drejt Japonisë mëngjesin e së nesërmes.


Pak pas sulmit në Nagasaki më 9 gusht, që u lëshua nga Tiniani, Japonia u dorëzua, duke e sjellë më afër përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1947, North Field i Tinianit u braktis dhe gjatë dekadave të mëvonshme u bë xhungël.

Sot, për shkak të tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës për kërcënimet e Pekinit ndaj Tajvanit, Tiniani është zgjedhur si një nga disa bazat ushtarake nga periudha e Luftës së Dytë Botërore që po rinovohet si pjesë e strategjisë së “shpërndarjes së forcave” në Paqësor.

Kina ka zhvilluar raketa, përfshirë Dongfeng-26 që ka kapacitet bërthamor, të cilat raportohet se mund të arrijnë deri në Guam, një tjetër ishull në Paqësor pranë Tinianit, ku Amerika ka baza të mëdha detare dhe ajrore. Një rrjet i shpërndarë i objekteve ushtarake do t’i mundësonte SHBA-së të transferonte fuqinë ajrore nëpër një sërë bazash.

“Ndërtimi i ri nuk është zgjidhja dhe është shumë i shtrenjtë”, tha lejtnanti Frank Blaz në një video të Forcave Ajrore duke përshkruar projektin në Tinian për rikonstruksionin e infrastrukturës nga Lufta e Dytë Botërore. “Riparimi dhe rehabilitimi i asaj që ekziston është një zgjidhje shumë më ekonomike”.

Forcat Ajrore të SHBA-së thonë se rindërtimi i Tinianit do t’u japë atyre “pozicion të mirë” për të reaguar ndaj një sulmi, “në çdo kohë, kudo në Indo-Paqësor”. Rreth 409 milionë dollarë janë ndarë për projektin e rindërtimit.



