SHBA-ja shtrëngon rregullat e vizave për studentët e huaj dhe gazetarët

Administrata e presidentit Donald Trump ndërmori të enjten hapa për të kufizuar kohëzgjatjen e vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarët.

Rregullorja e re përfundimtare e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare përcakton një periudhë fikse qëndrimi për vizat F për studentët ndërkombëtarë, vizat J për pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe vizat I për përfaqësuesit e mediave.

Aktualisht, këto viza janë të vlefshme për gjithë kohëzgjatjen e programit të studimit ose të punësimit në Shtetet e Bashkuara.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, duke iu nënshtruar shqyrtimit nga Kongresi.

Presidenti Donald Trump nisi një fushatë të gjerë kundër emigracionit pasi mori detyrën në janar të vitit 2025.

Administrata e tij ka shtuar kontrollet ndaj emigracionit të ligjshëm, duke revokuar vizat studentore dhe lejet e qëndrimit të përhershëm të disa studentëve universitarë për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike, si dhe duke ua hequr statusin ligjor qindra mijëra emigrantëve.

Masa e fundit do të krijojë pengesa të reja për studentët ndërkombëtarë, punonjësit në programet e shkëmbimit dhe gazetarët e huaj.

Sipas rregullave të reja, periudha e qëndrimit për vizat studentore dhe ato të shkëmbimit nuk do të mund të jetë më e gjatë se katër vjet.

Vizat për gazetarët, të cilat aktualisht mund të jenë të vlefshme për disa vjet, do të kufizohen në maksimum 240 ditë. Për shtetasit kinezë, kjo periudhë do të jetë 90 ditë.

Mbajtësit e vizave do të mund të aplikojnë për zgjatjen e qëndrimit.

Në gusht, Ministria e Jashtme e Kinës e kundërshtoi propozimin për kufizimin e vizave të gazetarëve kinezë, duke e cilësuar atë diskriminues.

Ambasada kineze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten.

Rregullorja ua ndalon studentëve pasuniversitarë ndryshimin e “objektivave të tyre arsimorë” në çdo fazë të studimeve ose transferimin në një institucion tjetër arsimor pa autorizim.

Ajo gjithashtu përgjysmon periudhën që studentët kanë në dispozicion për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të studimeve ose trajnimit, nga 60 në 30 ditë.

“Shumica e amerikanëve e kuptojnë rëndësinë e mirëpritjes së studentëve ndërkombëtarë dhe të heqjes së burokracisë së panevojshme. Kjo rregullore do të bënte pikërisht të kundërtën”, tha Doug Rand, ish-zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

David J. Bier, drejtor për studimet e emigracionit në Institutin Cato, tha se kufizimet për studimet dhe transferimet, të përfshira në rregulloren e re, nuk kanë bazë ligjore.

“Studentët ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve do të kenë kaluar vite në SHBA, tani do të kenë vetëm 30 ditë për të gjetur një punëdhënës që t’i sponsorizojë, ose do të shndërrohen menjëherë në emigrantë të paligjshëm. A nuk e kuptojnë këta njerëz se si funksionon jeta?”, tha ai.

Departamenti përmendi rritjen e ndjeshme të numrit të këtyre vizave.

Sipas tij, në vitin 2024 u regjistruan më shumë se 1.8 milion hyrje në SHBA me viza studentore, një rritje prej më shumë se 11 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Shtetet e Bashkuara u dhanë viza më shumë se 500 mijë pjesëmarrësve në programe shkëmbimi dhe 37.300 përfaqësuesve të mediave gjatë vitit fiskal 2024, i cili filloi më 1 tetor 2023.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, rritja e konsiderueshme e numrit të këtyre vizitorëve “paraqet sfidë për aftësinë e DHS-së për t’i monitoruar dhe mbikëqyrur këta persona me status joemigrues gjatë qëndrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara”.

DHS-ja tha se ka shumë raste të studentëve dhe pjesëmarrësve në programe shkëmbimi që kanë qëndruar për dekada në SHBA me këto viza.

Mbajtësit e vizave që dëshirojnë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara përtej periudhës fikse të lejuar do të duhet të aplikojnë pranë DHS-së për zgjatjen e qëndrimit ose të marrin një leje të re hyrjeje, duke udhëtuar jashtë vendit dhe më pas duke hyrë përsëri në SHBA. /Burimi: Reuters/

Latest news
Related news