Uashingtoni është i përgatitur të kontribuojë me mjete vëzhgimi, komandë dhe kontroll, si dhe kapacitete të mbrojtjes ajrore, thanë zyrtarë evropianë.
SHBA ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë kapacitete të inteligjencës dhe mbikëqyrjes së fushëbetejës për çdo plan sigurie perëndimor për Ukrainën e pasluftës dhe të marrë pjesë në një mburojë ajrore të udhëhequr nga Evropa për vendin, thanë zyrtarë ukrainas dhe evropianë.
Presidenti amerikan Donald Trump u tha javën e kaluar liderëve evropianë se SHBA do të ishte pjesë e “koordinimit” të garancive të sigurisë për Ukrainën e pasluftës, diçka që Kievi e ka kërkuar për të penguar një sulm të ardhshëm nga Rusia pas çdo marrëveshjeje paqeje.
Zyrtarë të lartë amerikanë u kanë thënë më pas homologëve europianë, në diskutime të shumta, se Uashingtoni do të ishte i gatshëm të kontribuonte me “mbështetje strategjike” duke përfshirë inteligjencë, survejim dhe zbulim (ISR), komandë dhe kontroll, si dhe kapacitete mbrojtjeje ajrore për të mundësuar çdo dislokim të udhëhequr nga Evropa në terren, thanë për Financial Times katër zyrtarë të informuar mbi bisedimet.
Një “koalicion i të gatshmëve”, i udhëhequr nga Britania dhe Franca, është zotuar të mbrojë Ukrainën e pasluftës nga çdo agresion i ardhshëm rus.
Por zyrtarët evropianë kanë pranuar privatisht se çdo dislokim mund të ndodhë vetëm me mbështetjen e SHBA-së për të mundësuar, mbikëqyrur dhe mbrojtur trupat evropiane.
Uashingtoni tashmë furnizon Ukrainën me raketa mbrojtëse ajrore Patriot, por mbështetja e pasluftës do të përfshinte avionë amerikanë, logjistikë dhe radarë tokësorë për të mbështetur dhe mundësuar një zonë ndalim-fluturimi dhe mburojë ajrore të zbatuar nga Evropa për vendin, thanë zyrtarët.
Në çdo marrëveshje paqeje, kapacitetet shumë më superiore të SHBA në inteligjencë, survejim dhe komandë-kontroll do të mundësonin monitorim satelitor të armëpushimit dhe koordinim efektiv të forcave perëndimore në vend.
Oferta e SHBA, e bërë gjatë një vale takimesh midis zyrtarëve të sigurisë kombëtare dhe liderëve ushtarakë amerikanë me vendet kryesore evropiane ditët e fundit, varet nga angazhimet e kryeqyteteve evropiane për të dislokuar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, paralajmëruan zyrtarët.



