Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kërkon publikimin urgjent të rezultateve të analizave për produktet e qumështit

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i ka bërë thirrje publike Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që të publikojnë sa më shpejt rezultatet zyrtare të analizave laboratorike për produktet e qumështit.

Në reagimin e saj, shoqata vlerëson se vonesa në publikimin e rezultateve po shkakton dëme të konsiderueshme për prodhuesit vendorë, duke ndikuar negativisht në imazhin e tyre, në uljen e konsumit të produkteve vendore dhe në zbehjen e besimit të konsumatorëve ndaj prodhimit të Kosovës. Sipas tyre, kjo situatë po krijon edhe një avantazh të padrejtë për produktet e importuara.

Shoqata thekson se prodhuesit vendorë të qumështit kanë investuar ndër vite në teknologji moderne, standarde të cilësisë dhe siguri ushqimore, ndërsa mbështesin çdo kontroll institucional dhe proces profesional të verifikimit. Megjithatë, sipas tyre, këto procese duhet të shoqërohen me transparencë të plotë dhe komunikim të përgjegjshëm me publikun.

Në reagim thuhet se mungesa e publikimit të rezultateve po krijon pasiguri te konsumatorët dhe po dëmton një sektor të rëndësishëm ekonomik, i cili mbështet mijëra fermerë, punëtorë dhe familje në Kosovë.

Shoqata u bën thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë me urgjencë, të publikojnë rezultatet zyrtare të analizave dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, fermerëve dhe besimit të qytetarëve në produktet e Kosovës.

Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, transparenca institucionale është thelbësore për mbrojtjen e konsumatorëve, ekonomisë vendore dhe konkurrencës së drejtë në treg.

Latest news
Related news