Zhegrova “rikthehet” në St. Jakob-Park: Baseli, kapitull shumë i rëndësishëm për mua

Futbollisti i Kosovës Edon Zhegrova është gati për një rikthim emocional në stadiumin ku hodhi një nga hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij. Sulmuesi i Kosovës do të rikthehet në “St. Jakob-Park”, por kësaj radhe si futbollist i Juventusit, në ndeshjen miqësore ndaj FC Basel 1893.

Klubi zviceran ka publikuar një intervistë me ish-anësorin e tij, i cili ka folur për kujtimet nga periudha te Baseli, zhvillimin që ka përjetuar gjatë viteve dhe emocionet që e shoqërojnë para rikthimit në stadiumin ku fitoi zemrat e tifozëve.

Pas largimit nga Baseli, Zhegrova vazhdoi karrierën te Lille, ku zhvilloi 107 ndeshje zyrtare, realizoi 26 gola dhe regjistroi 18 asistime, përpara se të transferohej te Juventusi.

Duke folur për rikthimin në “St. Jakob-Park”, reprezentuesi kosovar e pranoi se do të jetë një moment i veçantë për të.

“Absolutisht. Baseli ishte një kapitull shumë i rëndësishëm në karrierën time. Për këtë arsye, do të jetë diçka speciale të luaj përsëri në ‘St. Jakob-Park’. Kam shumë kujtime të bukura me klubin, qytetin dhe tifozët. Do të jetë kënaqësi të shoh përsëri fytyra të njohura”, u shpreh Zhegrova në një intervistë për faqen zyrtare të klubit zviceran transmeton Klankosova.tv.

26-vjeçari kujtoi me nostalgji periudhën e kaluar në Zvicër, duke theksuar se pikërisht te Baseli hodhi themelet e zhvillimit të tij si futbollist.

“Mendoj kryesisht për një periudhë ku pata mundësinë të zhvillohesha më tej si lojtar dhe si person. Mësova shumë këtu dhe bëra hapa të rëndësishëm. Atmosfera në stadium ishte gjithmonë e veçantë dhe tifozët më mbështetën që nga fillimi.”

Zhegrova zbuloi se vazhdon ta ndjekë ish-klubin e tij dhe u shpreh i lumtur për rikthimin e Baselit në majën e futbollit zviceran.

“Kur një klub ka qenë kaq i rëndësishëm për karrierën tënde, natyrshëm e ndjek atë që ndodh aty. Jam i kënaqur që Baseli ka fituar përsëri tituj. Klubi i përket majës dhe e di sa shumë do të thotë kjo për tifozët.”

Sulmuesi kosovar vlerësoi edhe evolucionin e tij si futbollist, duke theksuar se tashmë ndihet më i pjekur dhe më i kompletuar.

“Besoj se sot jam një lojtar më i pjekur dhe më i kompletuar. Në të kaluarën mbështetesha shumë te kreativiteti dhe talenti im, por me kalimin e kohës kam mësuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe marrjes së vendimeve të duhura në momentet vendimtare.”

Sa i përket objektivave për sezonin e ri me Juventusin, Zhegrova theksoi se prioriteti i tij mbetet të jetë në formë optimale dhe të kontribuojë sa më shumë për ekipin.

“Gjëja më e rëndësishme është të qëndroj i shëndetshëm dhe të ndihmoj ekipin. Dua të përmirësohem çdo ditë dhe të kontribuoj me gola, asistime dhe punë të palodhur. Në fund, më e rëndësishmja është suksesi i ekipit”, përfundoi deklaratën e tij anësori kosovar.

Rikthimi i Zhegrovës në “St. Jakob-Park” pritet të jetë një nga momentet më emocionuese të miqësores mes Baselit dhe Juventusit, me tifozët zviceranë që do të kenë rastin ta përshëndesin sërish ish-favoritin e tyre, këtë herë si kundërshtar.

Latest news
Related news