Shitësit ambulantë në zonën turistike të Prevallës kanë ngritur shqetësimet e tyre, duke pretenduar se inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ua ndalojnë ushtrimin e veprimtarisë.
Ata thonë se prej vitesh sigurojnë të ardhurat e familjeve nga shitja e produkteve vendore, përgatitja e flive dhe produkteve tradicionale, ndërsa pretendojnë se kanë aplikuar për leje, por kërkesat e tyre nuk janë miratuar, raporton Kiks Kosova.
Sipas tyre, nuk po kërkojnë të dëmtojnë natyrën apo të shkelin ligjin, por vetëm të kenë mundësi të punojnë në mënyrë të rregullt.
Njëra prej shitëseve ka rrëfyer se inspektorët ua kanë marrë pajisjet e punës, përfshirë saçat dhe mjetet e tjera për përgatitjen e ushqimeve, duke pretenduar se kjo i ka dëmtuar ekonomikisht.
Për këtë çështje, Kiks Kosova i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për sqarime lidhur me veprimet e inspektoratit, kërkesat për leje dhe arsyet e ndalimit të punës, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërkohë, ministrja Fitore Pacolli gjatë një vizite në Prevallë më 8 korrik deklaroi se mbrojtja e Parkut Kombëtar “Sharri” është prioritet dhe se aktivitetet në zonat e mbrojtura duhet të zhvillohen në përputhje me ligjin. /Klankosova.tv
Ndiqni kronikat e emisionit Kiks Kosova mbi këtë zhvillim:
Ndiqeni emisionin e plotë:



